in

Dhuna ndaj aktivistëve/ Shans i humbur i Çuçit për disiplinimin e policëve të Veliut

Takimin e parë si Ministër i Brendshëm, Bledi Çuçi e shndërroi në një akt simbolik, kur vizitoi familjen e të ndjerit, Klodian Rasha. Në shtëpinë që mban hapur dyert e mortit mori me vete disa shefa policie, të cilët iu bashkuan ngushëllimit për 25 vjeçarin e vrarë nga vartësi i tyre, Nevaldo Hajdëraj. Por në grupin që shoqëroi ministrin, ra në sy mungesa e Ardi Veliut.

Nuk dihet nëse ishte Çuçi që refuzoi ta kishte në krah Drejtorin e Policisë në këtë vizitë, apo ishte Ardi Veliu që nuk iu bashkua ngushëllimit në familjen Rasha. Por cilado qofshin rrethanat, mungesa e Veliut në daljen e parë publike të ministrit, tregon distancën mes të dyve. Një rast tjetër për të përsëritur pyetjen: A do ta ketë Çuçi forcën për t’i disiplinuar policët e Ardi Veliut, apo ai do të jetë thjesht një kukull për të performuar me fjalime live, në varësi të programit të ERTV?

Nuk kaluan 24 orë nga marrja e detyrës dhe dilemën e ngacmoi një incident, që zbulon shumë për rolin e ministrit në raport me policinë.

Policët e Ardi Veliut të mësuar prej vitesh me bullizmin ndaj aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, shoqëruan me forcë 4 prej tyre në komisariat, Astrit Seranajn, Gentjan Hasanin, Ergys Mertirin dhe Donald Martinin. Ky i fundit, koreograf dhe pedagog i Liceut Artistik, është rrahur me grushta dhe shqelma nga policët. (foto më poshtë)

Mbrëmjen e së shtunës, njëri prej aktivistëve po filmonte gardhin e policëve që mbajnë të bllokuar pedonalen para Ministrisë së Brendshme. Kaq u desh që të shoqëroheshin dhe të mbaheshin në komisariat duke u sharë dhe goditur.

Një video (shiko më lart) e momentit të shoqërimit ka bërë xhiron në rrjetet sociale, por ministria e Bledi Çuçit heshti. Disa qindra qytetarë dolën në protestë para Ministrisë së Brendshme, por sërish nga Ministria e Brendshme, vetëm heshtje.

Donald Martini kërkoi një reagim nga Çuçi se përse u dhunua nga policët që ruajnë sheshin para ministrisë: “Ministri i Brendshëm, duhet të dalë dhe të thotë, a ishte veprimi i duhur i policisë së Shtetit ky? Apo ishte i gabuar. Unë jam dhunuar në komisariat” 

Një tjetër prej të shoqëruarve, Astrit Serjanaj, duke folur për mediat i kërkoi një reagim Bledi Çuçit: “Incidenti tregon vazhdimësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, por është edhe një akt që kërkon reagim nga ministri i ri, për të treguar integritet dhe duhet ta marrë një vendim për Ardi Veliun se ai është përgjegjës” tha Seranaj.

Në vend që të marrin masa ndaj policëve, autoritetet kanë zgjedhur të mos japin asnjë sqarim. Presin që zhurma për ngjarjen të fashitet, sipas teorisë se “çudia më e madhe, 3 ditë zgjat”. Por incidenti me aktivistët është edhe një tregues se çfarë ministri do të jetë Çuçi.

Ndryshe nga ish gjenerali i ushtrisë Sandër Lleshaj, Çuçi nuk do të dalë të mbrojë abuzime, të tilla si kur policët heqin numrat identifikues nga uniforma për të pasur dorë të lirë në dhunën ndaj protestuesve. Por në anën tjetër, as nuk do të guxojë ta dënojë dhunën e pajustifikuar ndaj qytetarëve apo t’i kërkojë llogari Ardi Veliut për ndëshkimin e abuzuesve me detyrën. Ministrin që nuk e pyetën para se t’i jepnin detyrën, nuk do ta pyesin as pasi ia dhanë detyrën. Për më tepër që ai është i detyruar të heshtë përballë Veliut.

Sepse edhe ai, si të gjithë, e ka dëgjuar kryeministrin Rama kur tha se “edhe sikur të ishin 500 mijë të kërkonin të ikte drejtori i policisë”, prap Veliu nuk do largohej. Në këtë situatë, maksimumi që mund të bëjë Çuçi është ta shmangë Veliun kur bën politikë para kamerave, siç ishte vizita në familjen Rasha. Pastaj kur policia të hyjë në veprim, do të jetë Veliu që do të shmangë Çuçin.©Lapsi.al

Një variant i ri i Covid tmerron Europën/ Ndërpriten fluturimet me Britaninë e Madhe

Manastirliu ashpërson masat anti-COVID: Ora policore nis në 20:30