in

FOTO / “Kemi plotësuar kushtet për licencimin”, por Tirana rezulton e bllokuar nga Tatimet

Ky sezon, ashtu si edhe ata paraardhës, sheh klubet e Kategorisë Superiore të zhytura në telashe dhe borxhe që rrezikojnë praninë e tyre në Kupat e Europës. FSHF ka mbyllur procesin e kriterit financiar të licencimit të klubit dhe rezulton se janë vetëm 4 klube të cilat aktualisht nuk kanë probleme me organet tatimore në vendin tone.

Siç tregoi VIP Sport pak ditë më parë, 6 nga 10 klubet e Superiores kanë aktualisht llogaritë e bllokuara për shkak të detyrimeve ndaj organeve tatimore dhe palëve të treta, borxhe të ndryshme që sigurisht nga UEFA shihen si një pengesë thelbësore për të marrë licencën për pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare. Mes këtyre skuadrave është edhe Tirana që aktualisht mban vendin e pare në renditje dhe në teori do të shkonte në Ligën e Kampioneve, me të ardhura të ndjeshme të cilat i afrohen 1 milionë eurove edhe nëse nuk do të kalonte asnjë tur.

Bardheblutë pretendojnë se kanë zgjidhur problemet e tyre në këtë aspekt dhe kanë dorëzuar një dosje të pastër në FSHF. “Unë disa gjëra i lë për në fund dhe ne bëmë një shlyerje detyrimi financiar ndaj tatimeve, duke paguar një shumë të konsiderueshme. Ato janë detyrime të tonat aktuale dhe të trashguara dhe kemi bërë një punë të mirë. I kemi çuar të gjitha dokumentacionet dhe jemi në rregull me të gjitha letrat. Duke parë këtë investim jemi munduar të plotësojnë të gjitha kriteret dhe unë besoj se i kemi plotësuar të gjitha”, ishin fjalët e presidentit të Tiranës, Refik Halili për “SuperSport”.

Por pikërisht emri i Halilit si administratori i klubit të Tiranës figuron në dokumentin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që saktëson se klubi bardheblu ka ende llogaritë e bllokuara dhe ku shpjegohet se “nuk lejon kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet”.

Faksimile nga dokumenti i Drejtorise se Tatimeve qe tregon se llogarite e klubit Tirana jane te bllokuara

Përtej shumë së paguar deri tani, apo marrëveshjeve që mund të ketë nënshkruar me Tatimet, fakti që llogaritë e klubit bardheblu rezultojnë të bllokuara, vërteton se Tirana ka ende çështje të pazgjidhura me palë të tjera të treta dhe kjo mund të ndikojë në sigurimin e licencës nga UEFA. Kjo e fundit penalizoi bardheblutë për një mashtrim që u krye nga organet e FSHF tre vite më parë, kur në të njëjtat rrethana, Tirana mori licencën europiane. Si pasojë ajo humbi dëmshpërblimin e UEFA-s, ndërsa FSHF humbi të paktën 100 mijë euro nga fondet e UEFA-s, një dëm i konsiderueshëm për futbollin shqiptar për të cilin nuk u bënë kurrë publikë fajtorët.

Ashtu si Tirana, në dokumentin e Drejtorisë së Tatimeve figurojnë edhe emrat e klubeve të Skënderbeut, Bylisit, Vllaznisë, Luftëtarit dhe Flamurtarit nga Superiorja, ndërsa ka edhe klube të tjera të Kategorisë së Parë dhe të Dytë që gjithashtu janë prej vitesh me llogari të bllokura, por operojnë pa probleme në futbollin shqiptar duke u regjistruar rregullisht në kampionate nga Sektori i Licencimit. Ndërkohë, FSHF vazhdon të monitorohet nga UEFA e cila pas dënimit të saj ka paralajmëruar për sanksione më të rrepta nëse organi që drejton futbollin në vendin tonë regjistron në Europë skuadra që nuk plotësojnë kriteret. /E.Kuka /vipsport.al/

Gazetari e akuzon se po shpërdoron paratë e shqiptarëve, përgjigjet Elvis Naçi

Tronditet familja mbretërore! Në dokumentarin e Princeshë Dianës zbulohen sekrete të mëdha që nuk i dinim më herët